Gazmend Hoxha të premten dorëzoi kërkesën e tij për lirim të pozitës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Gjashtë ditë pasi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj, erdhi edhe dorëheqja e parë.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit të Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot pranoi nga z. Gazmend Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti”, shkruhet në njoftim.
Por sipas ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqit, megjithëse Hoxha nuk kishte përgjegjësi direkte për këtë rast, ai e vlerëson veprimin moral të kolegut të tij.
“Dorëheqja e kolegut tim, Gazmend Hoxha është akt moral, nuk është se ai e ka pas ndonjë përgjegjesi në rastin e Arlind Zekajt, është ndoshta i fundit që ka mujt me marrë ndonjë informacion në lidhje me rastin por është një akt i solderazimit, human, por besoj që Gazmendi deri me tani e ka bërë një punë të mrekullueshme, një punë jashtëzakonisht të mirë dhe është një humbje për vet Policin”, deklaroi Maliqi.
Sipas ti, në raste të tilla, profesionistet bëhen kurban të politikës
“Nga përvoja ime shumë vjeçare që në të gjitha raste kur kemi raste të ndjeshme, atëhere politika din e viktimizu profesionistat, e në profesionin e Policisë në shumë raste tek ne ka ndodhe që edhe pse nuk ka pas pikë faji në lidhje me rastin kanë dhënë dorehqje”, theksoi Reshat Maliqi.
Edhe eksperti i sigurisë, Fatmir Qollaku e vlerëson veprim e Gazmend Hoxhës.
“Opinioni priste dhe protestuesit kërkonin dorëheqje e zotëri Sveqla, megjithatë drejtori i Policisë e pamë që dha dorëheqjen dhe unë e përshëndes dorëheqjen e tij si një treguesi një personaliteti apo madhështie të një individi që është ballë Policisë së Kosovës dhe e konsiderojë si një akt moral dorëheqjen e tij”, tha Qollaku.
Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar të enjten për veprimet dhe mosveprimet lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.








