Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkurs për shkollim specialistik për 313 vende, me fokus në lëmi deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur se ky është konkursi i katërt për specializim brenda më pak se katër vjetësh dhe se është hera e parë që Ministria e Shëndetësisë do financojë edhe 20 vende për Mjekësinë Familjare.
“Risi e këtij konkursi është poentimi përmes sistemit digjital. Kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në formë elektronike dhe sistemi do t’i përllogarisë pikët sipas kritereve të konkursit. Pas verifikimit nga Bordi, secili kandidat do të ketë qasje në pikët e veta”,ka deklaruar ministri.
Poashtu ai ka paralajmëruar se së shpejti do të shpallet edhe një konkurs tjetër për specializime, për nevojat e institucioneve private shëndetësore.







