Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në dy objekte ndërtimi, në komunat e Istogut dhe Ferizajt, për shkak të parregullsive të evidentuara në zbatimin e masave për siguri dhe shëndet në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimeve në terren janë konstatuar mangësi që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Për këtë arsye, janë nxjerrë vendime për ndërprerjen e përkohshme të punimeve në të dy objektet, deri në eliminimin e parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në terren dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj subjekteve që nuk i përmbushin kërkesat për siguri dhe shëndet në vendin e punës.
Po ashtu, ky institucion u ka bërë thirrje punëdhënësve që të zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve.
Sipas Inspektoratit, përmirësimi i kushteve të punës është i rëndësishëm për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.








