Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të udhëhequr nga nënkryetari i Asamblesë, Alberto Losacco, dhe kryetari i Komisionit Politik, Sverre Myrli.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, si dhe deputetet Shqipe Mehmeti-Selimi dhe Besa Kabashi-Ramaj, anëtare të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës, si dhe zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, rajon dhe Evropë.
Haxhiu theksoi rëndësinë që NATO-ja ka për qytetarët e Kosovës, duke rikujtuar ndërhyrjen e Aleancës në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe krimeve të kryera nga regjimi i atëhershëm i Serbisë.
Ajo shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e NATO-s, duke theksuar se vendi synon të dëshmojë gatishmërinë për të marrë më shumë përgjegjësi në shërbim të paqes dhe sigurisë së përbashkët.
Gjatë takimit u diskutua edhe për sulmin në Banjskë dhe rëndësinë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, si dhe për agresionin rus kundër Ukrainës. Haxhiu rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për popullin ukrainas në luftën e tij për liri.
Një tjetër temë e diskutimit ishte sfida që paraqesin dezinformimi dhe kërcënimet hibride, si dhe nevoja për bashkëpunim në mbrojtjen e institucioneve demokratike, besimit të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal.
Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që nga viti 2024. Në këtë kontekst, palët diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit përmes kontakteve të rregullta ndërmjet komisioneve, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare në sektorin e mbrojtjes.
Në përfundim, Haxhiu theksoi përkushtimin e Kosovës për të avancuar drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO, duke vënë në pah rëndësinë e reformave të brendshme dhe mbështetjes së vendeve aleate.
Ajo falënderoi delegacionin për vizitën dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit parlamentar./teve1.info/







