Si masë të parë, në paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar një akt normativ për dëmshpërblimin e biznesit të vogël dëmtuar, ndërsa sipas tij, shteti do të mbulojë nga 70% deri në 100% të dëmeve, në varësi të rastit.
Pjesë e paketës është edhe ligj i ri sipas modelit francez; “Kush thyen, paguan”, me gjoba deri në 500 mijë lekë të reja për shkeljet e parashikuara. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia financiare do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve, sipas rregullave që do të përcaktohen në aktet përkatëse.
“Akt normativ për dëmshpërblim të mënjehershëm të biznesit të vogël. Ligj i ri sipas modelit francez kush thyen paguan. Kush qëndron në një turmë a grup që ndez zjarr a hedh gurë, do marrë gjobë. Gjoba deri në 500 mijë lekë të reja, përjashtohen gazetarët, mjekët dhe kalimtarë. Për të miturit këtë gjobë e paguajnë prindërit dhe kujdestarët. Kjo hyn në fuqi menjëherë”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se përgjegjësia financiare nuk lidhet me praninë e thjeshtë në një grumbullim, por me sjelljen individuale të secilit pjesëmarrës. Megjithatë, personat që marrin pjesë në tubime të dhunshme dhe refuzojnë të largohen pas thirrjeve të policisë mund të mbajnë përgjegjësi financiare për pasojat e shkaktuara.
Prezantimi vjen pas përplasjeve gjatë protestës së të shtunës, ku u raportuan sulme ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.







