Në masat e prezantuara sot nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, akti i tretë ka të bëjë me ndryshimin e ligjit për tubimet.
Sipas Ramës, policia do të ketë mundësi të kufizojë tubimet deri në 72 orë në perimetra të caktuar pranë institucioneve arsimore, shëndetësore, shtetërore, objekteve të kultit dhe trashëgimisë kulturore, kur ekziston rrezik real dhe i afërt për dhunë.
“Instrumenti i tretë, ndryshimet në ligjin për tubimet. Ligji për tubimet është i vitit 2001. Ai nuk parashikon asgjë për mjetet e teknologjisë dixhitale që sot janë bërë një komponent themelor i protestave. Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vendet publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese ndaj fenomenit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe mundësi sanksionesh të cilat aktualisht janë krejt simbolike krahasimisht me masat që sot vendet e tjera europiane kanë marrë dhe po marrin në përgjigje të këtij realiteti të ri dhune dhe anarkie urbane. konkretisht perimetra sigurie rreth objekteve të ndjeshme. Kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore”, tha Rama, njoftojnë mediat shqiptare.
Nga këto masa do të preken edhe ata persona që që bëjnë thirrje për dhunë në rrjetet sociale.
“Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale. Kur identifikon një thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mospërsëritjen e tij, duke i ofruar dhe mbështetje psikologjike kur ky i fundit ka nevojë. Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia vepron sipas legjislacionit në fuqi përfshirë ndjekjen penale mbi bazën e figurave të veprave penale ekzistuese, por dhe atyre të cilat janë propozuar në kodin penal sipas normave të reja europiane”, njoftoi kreu i qeverisë.
Rama njoftoi gjithashtu se fshehja e identitetit gjatë protestave, e ndaluar sipas ligjit ekzistues, propozohet të përfshihet si vepër penale në Kodin Penal, duke ndjekur modelin francez.




