Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar nisjen e hetimeve për lëndimin në sy të një 28-vjeçari gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Ndërkohë, një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” është pezulluar për tejkalim të detyrës.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Standardeve Profesionale është urdhëruar të hetojë rrethanat e lëndimit të të riut me inicialet E. V. Për këtë rast kanë nisur hetime edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Policia ka shprehur keqardhje për lëndimin e 28-vjeçarit dhe i ka uruar shërim të shpejtë.
Në një rast tjetër të publikuar në media, një punonjës policie është shfaqur duke tejkaluar detyrën, sipas institucionit. Drejtori i Përgjithshëm ka pezulluar inspektorin A. K., ndaj të cilit ka nisur hetim administrativ.
“Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë së Shtetit, 5 punonjës policie janë plagosur gjatë protestës, e cila zgjati deri në mbrëmje. Institucioni thotë se efektivët janë sulmuar me gurë, sende metalike, mjete piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.
Policia thekson se para protestës ishte kërkuar vetëpërmbajtje nga efektivët dhe respektim i proporcionalitetit gjatë ndërhyrjeve. Ajo është zotuar të hetojë me paanshmëri çdo rast të dyshuar për tejkalim të detyrës.







