Në kuadër të qëndrimit zyrtar në Hungari, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar Muzeun Etnografik të Budapestit, një nga institucionet më të rëndësishme etnografike të Evropës.
Vizita u zhvillua në ndërtesën e re të muzeut, të hapur në vitin 2022, ku presidentja u njoh nga afër me koleksionet e pasura të muzeut dhe me punën që kryhet për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Muzeu Etnografik i Budapestit, i themeluar në vitin 1872, ruan mbi 235 mijë objekte etnografike që përfaqësojnë kulturën tradicionale hungareze dhe atë të popujve nga e gjithë bota.
Në muze ruhet edhe koleksioni shqiptar i Paolo Lazzës (Palokë Laca), i cili përbën një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë etnografike shqiptare.
Presidentja Shiroka-Pula theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre artefakteve dhe nevojën e ruajtjes së tyre për brezat e ardhshëm.
“Artefaktet e këtij muzeu dëshmojnë historinë, identitetin dhe krijimtarinë e popujve ndër shekuj. Koleksione të tilla na ndihmojnë të njohim më mirë edhe vetveten, kulturën tonë dhe mjeshtëritë tradicionale që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë. Ruajtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi e përbashkët e njerëzimit”, ka thënë ajo.
Kujtojmë, presidentja Justina Shiroka-Pula, po qëndron për vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të homologut të saj hungarez Andras Baka. Kjo është vizita e saj e parë zyrtare jashtë vendit pasi mori zyrtarisht postin e presidentes më 6 tetor.




