Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili ka kritikuar vendimin e kësaj partie për të kërkuar nga presidentja që Ligji për Specialen të kthehet në Kuvend, ka vlerësuar se largimi i Bedri Hamzës një ditë më parë nga posti i kryetarit të partisë lidhet me këtë çështje.
Haxhiu ka thënë se po shihet që Bedri Hamza nuk është pajtuar me këtë.
“Po shihet që edhe dorëheqja e kryetarit ka qenë mu për këtë, sigurisht që as ai nuk është pajtuar me këtë që me ju drejtua presidentes dhe e ka pa të nevojshme që ta zgjedh rrugën e tij në këtë moment. Dorëheqja ka qenë një ditë përpara, ndërsa kërkesa për kthim të ligjit vjen një ditë pas, atëherë shihet se Bedria nuk ka pranuar që të adresohet kjo kërkesë të presidentja dhe ka hap rrugë që të tjerët ta bëjnë atë”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
I pyetur për çështjen e garës së kryetarit të partisë dhe se çështja e ligjit mund të ketë ndërlidhje më këtë, ai ka thënë se ambicia e askujt nuk mund të jetë më e rëndësishme se beteja për mbrojtjen e luftës së UÇK-së.
“Mendoj që përtej çdo ambicie të çdo kujt që mund të ketë për ta udhëhequr PDK-në, kauza jonë për UCK-në dhe mbrojtjen e luftës së saj është më e madhe se çdo individë kushdo dhe çfarë do ambicieje që mund të ketë”, është shprehur Haxhiu.
Sipas tij, kryesia e PDK-së ka humbur besimin pas këtij veprimi dhe duhet një kryesi e re.
Haxhiu ka thënë se nëse ka pasur kërkesë për rishqyrtim të ligjit do duhej treguar opinionit dhe protestuesve.
Presidentja Shiroka-Pula ka kthyer për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara për këkresës së PDK-së.
Ndërsa, Përparim Gruda udhëheqës i grupit punues për hartimin e këtij ligji ka thënë se nuk ka asnjë gabim në këtë ligj.







