Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në kuadër të Samitit XIII të Procesit të Berlinit, ku ka pranuar urime për mandatin e ri.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka vlerësuar rolin e Gjermanisë në këtë proces, duke theksuar se që nga lansimi i tij më 2014, Procesi i Berlinit ka krijuar një hapësirë bashkëpunimi ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen në mënyrë të barabartë.
Ai ka përmendur edhe marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të këtij procesi për udhëtimin me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave, duke theksuar se Kosova i ka zbatuar ato.
“Të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, sepse askush nuk mund ta mbajë peng rajonin”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka bërë të ditur gjithashtu se investimet direkte nga Gjermania në Kosovë arrijnë në rreth 1.5 miliardë euro, ndërsa 62 për qind e tyre, sipas tij, janë realizuar gjatë pesë viteve të fundit.
Kurti ka theksuar se potenciali për bashkëpunim ekonomik mbetet i madh, veçanërisht në sektorët e industrisë, energjisë, transportit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe arsimit profesional.
Ai ka njoftuar se javën e ardhshme Prishtina do të mirëpresë Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar.
“Gjermania është pjesë e të ardhmes sonë evropiane. Faleminderit, Kancelar Merz”, ka shkruar Kurti.
Takimi zhvillohet në një kohë kur Gjermania ka vendosur që ushtarët e saj të vazhdojnë qëndrimin në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it, sipas njoftimit të Kurtit./teve1.info/








