Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar përfundimin e kontratave të Annie O’Reilly dhe Kerrie Ann Rowan, të cilat kanë qenë pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Sipas një parashtrese të Administratores së Gjykatës drejtuar Trupit Gjykues II, vendimi për ndërprerjen e kontratave të dy bashkëmbrojtëseve është marrë nga mbrojtësi kryesor i Veselit, Rodney Dixon.
Dokumenti bën të ditur se më 13 tetor 2026, Dixon e ka njoftuar shefin e Zyrës së Mbrojtjes për vendimin që kontratat e Annie O’Reilly dhe Kerrie Ann Rowan të ndërpriteshin me efekt të menjëhershëm.
“Më 13 tetor 2026, Dixon e njoftoi shefin e Zyrës së Mbrojtjes për vendimin që kontratat e Annie O’Reilly dhe Kerrie Ann Rowan të ndërpriteshin me efekt të menjëhershëm”, thuhet në parashtresën e Zyrës së Regjistrit.
Sipas dokumentit, ndërprerja e angazhimit të dy bashkëmbrojtëseve është bërë në atë mënyrë që të mos ndikojë negativisht në interesat e Kadri Veselit dhe në kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore.
Më 14 tetor 2026, Administratorja e Gjykatës konfirmoi zyrtarisht përfundimin e kontratave të tyre.
Kadri Veseli po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.







