Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka kritikuar Serbinë për, siç ka thënë, standarde të dyfishta në raport me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, duke kërkuar përgjegjësi për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Duke komentuar deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo ka thënë se ai foli për të drejtat e njeriut në Kosovë, por nuk dha përgjigje për rastin e Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar si organizator të sulmit.
“Në vend se të japë përgjigje për përgjegjësinë e shtetit serb në sulmin e Banjskës, Gjuriqi zgjodhi të fliste për familjen e presidentit të tij”, ka deklaruar Mehmeti-Selimi.
Ajo ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e Serbisë dhe Rusisë, duke thënë se ato kërkojnë zbatimin e parimeve demokratike që, sipas saj, vetë nuk i respektojnë.
Deputetja e VV-së ka ngritur edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke përmendur problemet me pasivizimin e adresave, njohjen e diplomave dhe përfaqësimin në institucionet shtetërore të Serbisë.
Në fund, Mehmeti-Selimi u ka bërë thirrje shqiptarëve në Serbi që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar të udhëhequr nga Shaip Kamberi.
“Përballë diskriminimit, bashkimi rreth të drejtave të përbashkëta është më i rëndësishëm se dallimet ndërmjet subjekteve politike”, ka thënë ajo.
Mehmeti-Selimi ka ritheksuar se Vetëvendosje do të vazhdojë të mbështesë kërkesat e shqiptarëve në Serbi për barazi, arsim, punësim dhe përfaqësim politik.







