Shaqir Totaj, nga PDK ka folur për mundësinë e largimit të Bedri Hamzës nga drejtimi i partisë, duke sqaruar se ai nuk ka dhënë dorëheqje, por ka paralajmëruar se mund të mos ketë ambicie për të vazhduar më tej në këtë pozitë.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË1, Totaj tha se në takimin e fundit të kryesisë së PDK-së, ku ai nuk ishte i pranishëm, Hamza nuk kishte paraqitur dorëheqje zyrtare, por kishte lënë të hapur mundësinë e largimit.
“Në takimin e fundit të kryesisë së PDK-së, ku unë nuk kam qenë prezent, Bedri Hamza nuk ka dhënë dorëheqje, por e ka paralajmëruar një mundësi të tillë, për shkak se ka thënë se nuk do të ketë ambicie më tutje. Në fakt, kjo nuk ka qenë e papritur, sepse kur është kyçur si kandidat për kryeministër dhe si kryetar i partisë, e ka paralajmëruar se do të jetë një zgjidhje kalimtare”, deklaroi Totaj.
Ai shpjegoi se Hamza e kishte marrë drejtimin e partisë dhe kandidaturën për kryeministër si një angazhim deri në mbajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor të brendshëm të PDK-së. Sipas tij, ky proces është dashur të zhvillohej më herët, por është shtyrë për shkak të zhvillimeve politike në vend dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
“Ka qenë një paralajmërim se do të kyçet si kryetar i partisë dhe kandidat për kryeministër deri në procesin e ardhshëm të zgjedhjeve të brendshme. Ky proces është dashur të mbahet më herët, por, për shkak të zhvillimeve në skenën politike nacionale dhe disa zgjedhjeve në vend, është shtyrë vazhdimisht. Tash, mbase është gjetur zgjidhja për presidenten dhe gjasat janë që ai të mos kandidojë më”, u shpreh Totaj.
Totaj foli edhe për nevojën e rotacionit në udhëheqjen e partive politike, duke vlerësuar se një karrierë e gjatë politike nuk nënkupton domosdoshmërisht vazhdimin e ambicieve për të njëjtën pozitë.
“Është normale që një person që ka pasur një karrierë shumë të mirë dhe që i ka plotësuar shumë motive, të mos ketë më të njëjtat ambicie. Unë e konsideroj se në krye të një partie duhet të ketë rotacione më të shpeshta, sepse në këtë mënyrë krijojmë një standard. Edhe rasti i Bedri Hamzës ka qenë një zgjidhje kalimtare, që ai të jetë kandidat për kryeministër dhe kryetar i PDK-së deri në zgjedhjet e reja të brendshme”, tha ai.
I pyetur për arsyet që mund ta shtyjnë Hamzën të largohet nga drejtimi i PDK-së, Totaj u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, kjo lidhet më shumë me vendimin personal sesa me ndonjë pengesë apo përplasje brenda partisë.
“Largimi nga pozita e kryetarit të PDK-së, unë besoj se është i natyrës personale dhe jo për shkak të pengesave nga grupet”, përfundoi Totaj në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË1.







