Në prag të katërvjetorit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka realizuar një vizitë zyrtare në Pragë, me fokus avancimin e procesit të integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Gjatë vizitës, Zulfaj ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve çeke dhe personalitete me përvojë në procesin e integrimit evropian.
Ndër ta ishin e dërguara e Qeverisë çeke për Ballkanin, Edita Hrdá, ish-shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyrës së Qeverisë çeke.
Në kuadër të shkëmbimit të përvojave për integrimin evropian, kryenegociatori kosovar është takuar edhe me Pavel Telička, ish-kryenegociatorin e Çekisë për anëtarësim në BE.
Vizita ka përfshirë gjithashtu takime në Senatin çek me Pavel Fischerin, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Siguri, dhe Jan Schillerin, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.
Sipas njoftimit, diskutimet janë përqendruar në avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, mbështetjen që Republika Çeke mund të ofrojë në këtë proces, si dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe sigurinë rajonale.
Zulfaj ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë për Kosovën, veçanërisht gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së në vitin 2022.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe për kontributin e mbi 8.000 ushtarëve dhe pjesëtarëve të personelit çek që kanë shërbyer në Kosovë, duke ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.
Ndryshe, më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dorëzoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.
“Ky moment historik shënoi një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në BE dhe krijoi një lidhje të veçantë mes Kosovës, Çekisë dhe qytetit të Pragës. Praga, ku Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE, mbetet e lidhur ngushtë me këtë proces”, theksohet në njoftim./teve1.info/







