Njërin nga momentet më të rëndësishëm në jetë, ia besoi këtij spitali privat.
Por, ajo që i ndodhi J.K në Spitalin Amerikan 2, e tronditi.
Pas lindjes, nënës dyshohet se i është marrë foshnja nga infermierja për përkujdesje.
Por foshnja që iu kthye nënës dyshohet nuk ishte e njëjta.
Kjo e fundit, rastin e raportoi tek Spitali të cilët fillimisht e kundërshtuan pretendimin e nënës.
Por, pas insistimit të prindërve dhe raportimit të rastit tek Inspektorati Shëndetësor, këta të fundit e konfirmuan se është bërë ndërrimi i foshnjave.
Për këtë rast, Tëvë1 ka tentuar të marrë një qëndrim nga vet Spitali Amerikan 2.
Nga Spitali e mohuan rastin të hënën, duke thënë se po të ishte i vërtetë, nuk do të shihnim kaq shumë njerëz këtu.
Por, atë që e mohoi ky spital privat, një ditë më pas e konfirmoi për Tëvë1, Inspektorati Shëndetësor.
Nga ky Inspektorat, thonë se gjetën edhe parregullsi të tjera.
Ndërsa për të gjitha këto, shqiptuan vetëm një vërejtje me shkrim dhe një me gojë.
“Inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna. Nga kontrolli i dokumenteve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA). Për këtë, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë këto masa: Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar; Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim; Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë”, kanë thënë nga Ministria e shëndetësisë.
Për këtë rast, të martën ekskluzivisht për Tëvë1, foli edhe vet ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ky i fundit, tha se ka kërkuar takim urgjent me kryeinspektorin.
“Tani, në momentin e parë që unë kam marrë vesh si ministër, kam kërkuar një takim urgjent me kryeinspektorin, dhe kam kërkuar që ky rast të trajtohet me me seriozitetin më të madh dhe të shihet se çfarë ka ndodhur. Dhe, me sa di, dje ka pasur një takim të kryeinspektorit dhe janë proceduar për komision disciplinor dhe vërejtje të tjera disa nga ata që për momentin supozohet që kanë bërë shkelje gjatë inspektimit. Kështu që, të gjitha masat do të merren, nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga asnjë institucion”, ka thënë Vitia për Tëvë1.
E pavarësisht që iu ndërrua foshnja, prindërit rastit nuk e raportuan në Policinë e Kosovës.
“Ju njoftojmë se, pas verifikimeve ne regjistrat e DHKEK, nuk kemi të dhëna se është raportuar rasti: Dyshimet për ndërrimin e foshnjave ne një nga repartet e institucionit shëndetësor privat ne Prishtine “Spitali Amerikan 2″”, ka njoftuar Policia.
Ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thonë se deri me tani nuk është iniciuar hetim penal.
“Referuar kërkesës suaj, lidhur me rastin që ka të bëjë me ndërrimin e dy foshnjave të porsalindura në Spitalin Amerikan në Prishtinë, ju njoftojmë se deri më tani nuk është iniciuar hetim penal, pasi që nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepër penale”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, e gjithë ngjarja ndodhi me 18 mars të këtij viti.









