Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka pritur të martën në një takim në Tiranë komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori.
Sipas njoftimit, në fokus të takimit ishte roli i KFOR-it në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe kontributi i këtij misioni në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Gjatë takimit, ministri Nufi ka theksuar rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton misionit të KFOR-it dhe angazhimin e vazhdueshëm të vendit në mbështetje të mandatit të tij.
“Kontributi ynë i vazhdueshëm dhe i palëkundur në këtë mision dëshmon rëndësinë e veçantë që i kushtojmë mandatit dhe rolit të tij në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, është shprehur Nufi.
Ministri shqiptar e ka uruar gjeneralmajorin Vergori për marrjen e detyrës së re, duke riafirmuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj përgjegjësive të saj si anëtare e NATO-s.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si anëtare e përkushtuar e NATO-s, duke vijuar të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për një rajon më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt bashkëpunimit”, ka deklaruar ai./teve1.info/




