Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të shënojë 17-vjetorin e themelimit me një konferencë ndërkombëtare kushtuar rolit të gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Siç bëhet e ditur në njoftim, konferenca do të mbahet të enjten, më 22 tetor 2026, në hotelin “Emerald” në Prishtinë, duke filluar nga ora 09:30.
Para fillimit të punimeve, me fjalë rasti do t’u drejtohen pjesëmarrësve kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi, presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, si dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Stephan Harbarth, i cili do të jetë folës kryesor në konferencë.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të Kosovës, akademikë, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe delegacione nga gjykatat kushtetuese e supreme të disa shteteve evropiane dhe më gjerë.
Ndër institucionet pjesëmarrëse të paralajmëruara janë Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë, Gjykata Kushtetuese e Austrisë, Gjykata Supreme e Holandës, Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë, Gjykata Supreme e Estonisë, si dhe gjykatat kushtetuese të Letonisë, Lituanisë, Bullgarisë, Turqisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut.
Pjesë e konferencës do të jenë gjithashtu përfaqësues të Komisionit të Venecias dhe të Asociacionit të Gjykatave Kushtetuese Frankofone.
“Konferenca synon të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e demokracisë dhe garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve”, thuhet në njoftim./teve1.info/







