Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci ka deklaruar se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk i shfuqizojnë aktgjykimet dhe as nuk sigurojnë kthimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në Kosovë.
Në një reagim lidhur me kërkesat që presidentja ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim, Nagavci ka rikujtuar shqetësimet që, sipas saj, LVV-ja i kishte ngritur para miratimit të tij, duke përfshirë nxitimin në procedim, përmbajtjen dhe problemet e mundshme kushtetuese.
Ajo ka thënë se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Speciale ka qenë i qartë që nga viti 2015, kur kjo parti kishte kundërshtuar themelimin e saj.
Megjithatë, sipas Nagavcit, LVV-ja e ka mbështetur ligjin me shpresën se nismat në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së do të japin rezultate konkrete.
“Ndryshimet e propozuara ligjore nuk i shfuqizojnë aktgjykimet, nuk e zëvendësojnë procesin e apelit dhe nuk sigurojnë kthimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në atdhe”, ka theksuar Nagavci.
Ajo ka kërkuar hartimin e një strategjie shtetërore, përgatitje serioze juridike për procesin e apelit dhe angazhim më të fuqishëm diplomatik për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në fund, Nagavci ka vlerësuar se drejtësia për ish-drejtuesit e UÇK-së kërkon përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje juridikisht të qëndrueshme, e jo vetëm miratim të ligjeve përmes procedurave të përshpejtuara./teve1.info/










