Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, në emisionin “Matrix”, në tëvë1 të moderuar nga Mehmet Kalisi, ka komentuar protestat e studentëve në Shqipëri, duke vlerësuar se ndërhyrja e policisë dhe e forcave speciale nuk ka ndikuar në qetësimin e situatës.
Kulla tha se kryeministri shqiptar, Edi Rama, është nën presion për të gjetur një zgjidhje, ndërsa zhvillimet në Shqipëri kanë marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
“Kryeministri është në stres, duke u përpjekur të gjejë rrugëzgjidhje. Ka anuluar një vizitë të planifikuar në Austri, ndërsa Shqipëria është në të gjitha mediat botërore”, ka thënë Ilir Kulla.
Ai rikujtoi se protestat kanë nisur në fund të qershorit dhe, sipas tij, në fillim nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.
“Historia ka filluar në fund të qershorit dhe nuk ka pasur largime. Nuk e kanë marrë kurrë seriozisht. Madje, erdhi një moment kur protestat u bënë aq të vogla, saqë thanë se kishin përfunduar. Por, pas tetë ditësh, lind përsëri pyetja: kush është personi që dha urdhër për dërgimin e forcave speciale te Ministria e Arsimit?”, tha Kulla.
Sipas tij, ndërhyrja e policisë dhe e forcave speciale ndaj protestuesve nuk e ka përmirësuar situatën, por ka ndikuar në rritjen e tensioneve.
“Një gjë është e qartë: futja e policisë dhe e forcave speciale kundër protestuesve as nuk e përmirësoi dhe as nuk e qetësoi gjendjen. Policitë janë prindër dhe pjesëtarë të qytetit, të cilët punojnë nga 16 apo 18 orë”, deklaroi ai.
Kulla komentoi edhe shpërblimin e paralajmëruar për policinë nga kryeministri Rama, duke thënë se, pavarësisht vlerësimit për punën e tyre, kjo nuk mjafton për ta qetësuar situatën.
“Pavarësisht shpërblimit të Ramës, të cilin e përmendi sot, për mua kjo është prapë një benzinë që vazhdon t’i hedhë benzinë zjarrit. Mendoj se policët e meritojnë një trajtim të mirë ekonomik për shkak të punës së rëndë që bëjnë prej muajsh, vitesh e javësh”, u shpreh Kulla.
Ai foli edhe për pjesëmarrjen në protestën e sotme, duke vlerësuar se numri i protestuesve nuk ishte i vogël dhe se në mesin e tyre kishte shumë të rinj.
“Edhe sot numri i protestuesve nuk ishte i vogël. Kishte një numër të mirë, ndërsa shumica e atyre që marrin pjesë në këtë protestë janë të rinj, nga të miturit deri te moshat 18 apo 20 vjeç”, tha Kulla.







