Ekspertja e sigurisë Emanuela Dyrmishi, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka folur për protestën e studentëve në Shqipëri, përshkallëzimin e situatës dhe reagimin e institucioneve ndaj protestuesve. Ajo ka ngritur shqetësime për përdorimin e forcës nga policia, ndërsa ka vënë në pikëpyetje edhe premtimin e kryeministrit Edi Rama për rritjen e pagave të policëve.
Dyrmishi ka vlerësuar se protestat paqësore nuk janë dëgjuar nga institucionet dhe se përshkallëzimi i situatës mund të jetë nxitur edhe nga provokime të brendshme.
“Po flasim për një situatë të kalbur, sepse as protestat paqësore nuk dëgjohen. Protestuesit e kanë parasysh vitin 1997 dhe nuk dukej aspak se situata do të kalonte në dhunë. Dje dolën pamjet e djegies së komisariatit të policisë dhe protestuesit u akuzuan, por më vonë dolën pamje që tregonin se ato ishin filmuar nga brenda. Kështu që, përshkallëzimi ka ardhur edhe nga provokimet e brendshme”, është shprehur Dyrmishi.
Ajo ka shtuar se në protestë mund të jenë përfshirë edhe grupe të tjera, jashtë lëvizjes studentore, ndërsa ka kritikuar deklaratat e përfaqësuesve të policisë dhe të kryeministrit Rama, të cilat, sipas saj, kanë ndikuar në përshkallëzimin e situatës.
“Përshkallëzimet kanë qenë të pranishme, por daljet në televizion të përfaqësuesve të policisë apo të zotit Rama vetëm kanë ndikuar në përshkallëzimin e asaj që ka qenë kërkesë legjitime e shqiptarëve”, ka deklaruar ajo.
Dyrmishi ka përmendur edhe ndërhyrjen e policisë në Universitetin e Vlorës, ku, sipas saj, janë mbyllur dyert dhe nuk është lejuar zhvillimi i mësimit, duke e cilësuar këtë veprim si të paligjshëm.
Një tjetër çështje që ajo ka ngritur lidhet me premtimin për rritjen e pagave të policëve, për të cilin ka kërkuar sqarime se nga do të sigurohen paratë.
“Një pyetje shumë e rëndësishme që doli sot nga intervista e zotit Rama është fakti se policëve u është premtuar rritje e pagave, kur pagat e tyre aktuale janë rreth 600 euro. Pikëpyetja e madhe është se nga do të vijnë këto para. Këtu flasim për një korrupsion të jashtëzakonshëm në çdo hallkë të sistemit dhe për një fluks të pastrimit të parave”, ka thënë Dyrmishi.
Duke folur për sjelljen e protestuesve dhe të zyrtarëve policorë, ekspertja e sigurisë ka theksuar se përgjegjësia duhet të jetë e të gjitha palëve. Ajo ka dënuar dëmtimin e institucioneve dhe bizneseve, por edhe përdorimin e forcës joproporcionale ndaj protestuesve.
“Të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre. Janë dënuar edhe veprimet e protestuesve që kanë djegur institucione dhe kanë dëmtuar biznese, por edhe përdorimi joproporcional i forcës kundër protestuesve. Nga filmimet po dalin në pah fakte dhe po mblidhen dëshmi njëra pas tjetrës. Duhet të sqarohet se kush qëndron pas këtyre dëmeve dhe përplasjeve”, ka deklaruar Dyrmishi.
Në përfundim, ajo ka theksuar se situata duhet të trajtohet me kujdes dhe se përgjegjësitë duhet të përcaktohen mbi bazën e fakteve, duke shmangur përdorimin e dhunës dhe përshkallëzimin e mëtejmë të protestës.






