Komuna e Obiliqit ka nisur realizimin e një projekti infrastrukturor në fshatin Plemetin, i cili përfshin asfaltimin e pesë segmenteve të rrugës “Sokoli” dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit fekal.
Në fillimin e punimeve kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, dhe drejtori i Infrastrukturës, Naim Shalaku, bëhet e ditur në njoftimin e komunës.
Projekti ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të sistemit të kanalizimit në këtë zonë, duke mundësuar qarkullim më të lehtë dhe kushte më të mira për banorët e Plemetinit.
Sipas komunës, investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë edhe në kuadër të projekteve të tjera, me synimin e përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe zhvillimit të vendbanimeve në territorin e Obiliqit.








