Janë familjarë të dy personave të akuzuar për vepra të rënda penale.
Në cilësinë e dëshmitarëve, Tijana Viqentijeviq bashkë më vëllaun, Dejanin, u ftuan në gjyqin kundër dy axhallarëve të tyre, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq.
Ndaj tyre rëndon akuza për sulmin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, në nëntor të vitit 2024.
E para që doli në foltoren e dëshmitarëve, ishte Tijana.
Ditën e sulmit ajo e përshkroi si krejt të zakonshme, duke treguar se si në shtëpinë e tyre në Zubin Potok, shkoi për vizitë tash i akuzuari, Jovan Viqentijeviq.
“Atë ditë Ivani ka ardhur në Zubin Potok është kthyer tek ne, na ka sjellë vezë nga fshati, dhe unë si cdoherë tjetër e kam thirrë që të vije të na vizitojë dhe ai ka thënë që po shkon të përgatitet dhe nëse ka kohë do të na vizitojë. Dhe pasi është përgatitur, rreth orës 19 kemi biseduar 10-15 minuta duke pirë caj dhe pas kësaj është nisur për në punë”, ka thënë Viqentijeviq.
Po të njëjtën ditë, ajo thotë se e kishte parë edhe Dragishën.
“Dragishën e kam parë në orët e pasdites, sepse kam qenë para shtëpisë kur ka ardhur vetura, por nuk kemi biseduar”, ka thënë tutje Viqentijeviq.
Sipas dëshmitares, i njëjti kishte qenë në shtëpi me ta edhe në ditën kur ka ndodhur arrestimi i tyre nga Policia e Kosovës.
“Dragisha ka qenë në shtëpi kur është arrestuar, por unë nuk e kam parë pasi ishte herët në mëngjes”, ka theksuar Viqentijeviq.
Pas kësaj dëshmie, seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj nuk u planifikua, meqë kryetari i trupit gjykues ndodhet në parg të pensionimit.







