Në pamje të parë duket si një tendë e zakonshme.
Por tash e dy ditë, kjo hapësirë po përdoret për t’u mundësuar qytetarëve të provojnë për pak minuta jetën në errësirë.
Nisma e organizuar në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Personave me Shkop të Bardhë, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për sfidat me të cilat përballen personat e verbër.
Për kryetarin e kësaj organizate, Jusuf Fazliu, kjo e diel ishte e veçantë edhe për një arsye tjetër.
“Sot ishte një ndjenjë për mua tejet e veçantë. Me syza të mençura që unë, falë Zotit, i posedoj, kemi arritur të eksplorojmë mbarë sheshin duke shoqëruar një të verbër, edhe unë vetë i verbër, edhe kemi lëvizur pa asnjë problem”, thotë Fazliu.
Andaj për këtë ai kërkon mbështetjen e institucioneve dhe bizneseve.
“Kisha ftuar institucionet, Qeverinë e Republikës së Kosovës, bizneset, që të na ndihmojnë sadopak që ne t’ua sigurojmë anëtarëve tanë këto syza dhe këta të jenë të pavarur dhe të dalin e të lëvizin vetë, t’i kryejnë shërbimet e tyre ditore”, thotë Fazliu.
Por, përveç sigurimit të pajisjeve, sfidë për personat e verbër mbetet edhe infrastruktura e qytetit.
Për këtë, Fazliu i drejton një thirrje edhe Komunës së Prishtinës.
“I bëj thirrje kryetarit të Komunës së Prishtinës që të punojë rreth infrastrukturës për personat e verbër, për arsye se dorën në zemër, infrastruktura është shumë pak e qasshme për ne. Mundem me thënë se fare”, shprehet ai.
Sipas drejtoreshës së organizatës joqeveritare “You Can Do”, kjo përvojë ka ngjallur interesim të madh te qytetarët.
“Zakonisht është një vështirësi emocionale dhe e vëren një ngarkesë emocionale më të madhe secili qytetar që e provon. Kemi pas raste ku qytetarët kanë qajtë ose e kanë përjetu shumë rëndë këtë pjesë. Zakonisht na si persona jemi shumë të pavetëdijshëm dhe të pa interesuar për problematikat që nuk i hasim vetë”, thotë Merita Hasani.
Ndërkohë, nga kjo organizatë u bë thirrje edhe për më shumë gjithëpërfshirje.
“Gjithëpërfshirjen në institucione, drejtësi, në infrastrukturë, edukim. Do të thotë, kjo është thirrja jonë që nga themelimi i organizatës, nga viti 2013 deri më tash. Që fatkeqësisht prapë po mbesin problematikat e njëjta, për të cilat vazhdimisht bëjmë thirrje. Gjithëpërfshirja është e garantuar me ligj dhe ligji nuk po implementohet”, shprehet ajo.
Tenda e errët u bë me qëllim që qytetarët të përjetojnë sfidat e personave të verbër, ku në fund të kësaj eksperience ata lanë edhe përshtypjet e tyre.






