Kikboksierët e Kosovës, Nart Kastrati dhe Art Dulaj, kanë fituar dy medalje në Kupën Botërore WAKO, e cila u zhvillua nga 13 deri më 18 tetor në Tashkent të Uzbekistanit.
Nart Kastrati e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 81 kilogramë, pasi arriti deri në finalen e garës, ndërsa Art Dulaj u stolis me medaljen e bronztë në kategorinë deri në 67 kilogramë.
Sipas njoftimit të Federatës së Kikboksit të Kosovës, në këtë garë ndërkombëtare morën pjesë mbi 2.530 sportistë dhe anëtarë të delegacioneve nga më shumë se 48 shtete.
Kosova u përfaqësua nga një delegacion prej tre anëtarësh, i udhëhequr nga presidenti i Federatës së Kikboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, së bashku me dy garuesit Kastrati dhe Dulaj.
Makolli e vlerësoi lart suksesin e sportistëve kosovarë, duke theksuar se medaljet kanë domethënie të veçantë pasi u fituan në Uzbekistan, shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Për ne, ky sukses ka një domethënie të veçantë. Në një vend që ende nuk e njeh shtetin tonë, sportistët tanë përfaqësuan Kosovën me krenari dhe dinjitet, duke dëshmuar se sporti është një nga ambasadorët më të fuqishëm të vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Makolli.
Me këto dy medalje, Kastrati dhe Dulaj i kanë dhënë Kosovës një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare të kikboksit.










