Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se presidentja Justina Shiroka-Pula është emër konsensual dhe mund të kontribuojë në paanësi politike dhe stabilitet.
Ai ka thënë se Shiroka-Puka nuk është emër i vullnetit politik të kësaj partie, pasi ata kishin kandidatin e tyre, Glauk Konjfucën.
“Meqenëse është emër konsensual, ose emër i një marrëveshjeje politike, mund ta quajmë edhe kështu, mes dy subjekteve politike, pra, emër që e garanton një lloj paanësie, mendoj që e krijon një lloj stabiliteti politik. Nuk është emër i vullnetit politik të Lëvizjes Vetëvendosje. Ne e kishim emrin tonë, ishte zoti Konjufca, e dhamë madje në fillim të propozimit. Dhe natyrisht, tash pres prej zonjës Justinë që të marrë përgjegjësitë e veta në kuadër të obligimeve të saj shtetërore, që t’i zbatojë ato në përpikëri”, tha Rexhaj.
Rexhaj, ka deklaruar se ende nuk ka një afat konkret për miratimin e strategjisë shtetërore për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, ai ka thënë se grupi strategjik do ta përcaktojë fushëveprimin e tij në ditët në vijim, ndërsa si model për këtë proces është diskutuar ai kroat.
“Tash, modeli që është marrë, që u diskutua, dhe jo vetëm prej Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo edhe prej subjekteve të tjera, është modeli kroat. Jo pse përputhet, ta themi, në kuptimin sepse atje është një operacion ‘Stuhia’, këtu nuk ka pasur një gjë të tillë, por megjithatë si model është, meqenëse është, domethënë, në këtë Evropën Juglindore, në Ballkan, mendoj që është i arsyeshëm. Unë besoj saktësisht, pra, që ky grup strategjik do të formojë, ta themi, fushëveprimin e vet edhe në ditët në vazhdim do të jetë efektiv në aspektin e mbrojtjes. Mirëpo nuk bën t’i përzieni dy gjëra. Avokatët e tyre mbrojtës e kryejnë këtë fushën e mbrojtjes në aspektin legjislativ, sepse ky grup nuk e bën mbrojtjen, madje, nëse e dini… Edhe diplomatik, madje, sepse duhet edhe të lobohet në aspektin diplomatik që përfundimisht të hiqet kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale edhe realisht të rikthehet në vend reputacioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe i Republikës së Kosovës”, tha ai.







