Dy punonjës të Policisë së Shtetit në Shqipëri janë pezulluar nga detyra, pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen duke ndërhyrë ndaj protestuesve në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, në pamjet e publikuara dyshohet se punonjësit kanë tejkaluar kompetencat dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubim.
Pezullimi është urdhëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ndaj dy punonjësve, inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme.
Gjithashtu, Hita ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë menjëherë hetimin disiplinor për të dy policët, me qëllim shqyrtimin e veprimeve të tyre gjatë ndërhyrjes.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit ka theksuar se nuk do të tolerojë rastet e dhunës apo tejkalimit të detyrës nga punonjësit e saj.
“Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin zyrtar./teve1.info/









