Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë për Hungary Insider, ka thënë se ambiciet territoriale të Serbisë përbëjnë kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Ai ka folur për rrezikun e një përballjeje të re të armatosur, mungesën e përgjegjësisë për sulmin e vitit 2023 në Banjskë dhe rolin thelbësor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Konjufca gjithashtu komenton ndryshimet politike në Hungari nën kryeministrin Péter Magyar, perspektivat për forcimin e marrëdhënieve mes Hungarisë dhe Kosovës, si dhe synimet e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.
Pyetje: Në deklaratën tuaj të fundit, paralajmëruat se ambiciet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës mbeten një shqetësim serioz. A besoni se deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë serbë përfaqësojnë kryesisht retorikë politike nacionaliste, apo shihni tregues të besueshëm të një kërcënimi më konkret ndaj sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës?
Ministri Konjufca: Ambiciet territoriale të Serbisë duhet të kuptohen përmes lidhjes mes retorikës së saj politike dhe veprimeve konkrete. Kur zëvendëskryeministri i Serbisë deklaron se flamuri serb, herët a vonë, do të valojë sërish mbi Prizren, ndërsa Milan Radoiçiqi, i cili ka pranuar se organizoi sulmin terrorist në Banjskë, shfaqet publikisht përkrah djalit të Vuçiqit në një tubim të partisë në pushtet, ne shohim një vazhdimësi shqetësuese mes ambicieve territoriale të Serbisë dhe mbrojtjes politike që u ofrohet përgjegjësve për agresionin e armatosur kundër Republikës së Kosovës. Pasojat e kësaj doktrine i kemi përjetuar drejtpërdrejt. Në shtator të vitit 2023, një grup i armatosur rëndë kreu një sulm terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës, duke vrarë Afrim Bunjakun, pjesëtar të Policisë së Kosovës. Në prill të vitit 2026, një gjykatë në Prishtinë konstatoi se operacioni kishte për qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës nga pjesa tjetër e vendit dhe aneksimin e tij nga Serbia.
Në ditët pas sulmit, Serbia grumbulloi tanke, artileri dhe këmbësori të mekanizuar përgjatë kufirit tonë. Shkalla e këtij mobilizimi ushtarak e shtyu Shtëpinë e Bardhë të lëshonte një paralajmërim të jashtëzakonshëm publik, duke e cilësuar dislokimin si të paprecedentë dhe duke kërkuar tërheqjen e forcave serbe. Më pas, NATO-ja e përforcoi praninë e saj paqeruajtëse në Kosovë.
Në nëntor të vitit 2024, një sulm terrorist me eksplozivë goditi kanalin Ibër-Lepenc, një nga komponentët më kritikë të infrastrukturës sonë ujore dhe energjetike. Që atëherë, Prokuroria Speciale ka paraqitur prova të cilat, sipas vlerësimit të saj, implikojnë strukturat shtetërore serbe në përgatitjen e sulmit.
Këto zhvillime dëshmojnë një model të vazhdueshëm të revizionizmit territorial, i cili synohet të realizohet përmes frikësimit politik dhe përpjekjeve për të destabilizuar funksionimin e shtetit tonë. Kërcënimi ndaj Republikës së Kosovës është real dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë seriozitetin e këtij modeli.
Pyetje: Ju keni vënë në pah edhe paraqitjen publike të Milan Radoiçiqit përkrah Danilo Vuçiqit në një tubim politik në Serbi. Çfarë ju tregon ky zhvillim për gatishmërinë e Beogradit për të siguruar përgjegjësi për sulmin e vitit 2023 në Banjskë dhe cilat masa konkrete do të dëshironit të ndërmerrnin Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij ndërkombëtarë?
Ministri Konjufca: Paraqitja e Radoiçiqit përkrah djalit të Vuçiqit dëshmon vazhdimësinë e një marrëdhënieje politike, e cila është kultivuar dhe mbrojtur publikisht prej vitesh. Si nënkryetar i Listës Serbe, partisë politike në Kosovë të mbështetur nga Beogradi, Radoiçiqi gëzonte mbështetjen e hapur të Aleksandar Vuçiqit, i cili në vitin 2018 e kishte cilësuar si “njeriun numër një që mbron Mitrovicën e Veriut”. Në prill të vitit 2023, vetëm pesë muaj para sulmit terrorist në Banjskë, Vuçiqi e lavdëroi publikisht Radoiçiqin si dikë që ishte “gjithmonë i gatshëm të luftojë për popullin e tij”. Edhe pas sulmit, vetë Vuçiqi pranoi se Radoiçiqi kishte qenë aleat i tij i ngushtë politik. Tri vjet pasi pranoi publikisht se kishte organizuar operacionin e armatosur në Banjskë, Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe merr pjesë hapur në ngjarje politike përkrah familjes së Vuçiqit. Pavarësisht këtij pranimi, prokurorët serbë ende nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj tij. Kjo mbrojtje e vazhdueshme politike dhe mungesa e qëllimshme e llogaridhënies dëshmojnë se sa thellë janë të rrënjosur në establishmentin politik serb personat përgjegjës për agresionin e armatosur. Presim që Bashkimi Evropian të ushtrojë presion vendimtar ndaj Beogradit për ta dorëzuar Radoiçiqin dhe personat e tjerë të akuzuar te autoritetet gjyqësore të Republikës së Kosovës. Parlamenti Evropian kishte bërë thirrje që në vitin 2023 për vendosjen e masave kufizuese të synuara ndaj Radoiçiqit. Këto thirrje tani duhet të shndërrohen në veprime konkrete. Drejtësia për Banjskën është thelbësore për parandalimin e agresionit të mëtejshëm dhe vendosjen e sigurisë afatgjatë në rajonin tonë.
Pyetje: Sa serioz është rreziku i një përballjeje të re të armatosur mes Serbisë dhe Kosovës? Cilat zhvillime do t’i konsideronit veçanërisht alarmuese dhe cilat masa diplomatike apo të sigurisë janë të nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor?
Ministri Konjufca: Ne e marrim seriozisht rrezikun e një përballjeje të re, duke i njohur pasojat shkatërruese të luftës. E ardhmja e Republikës së Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe NATO. Populli ynë dëshiron siguri për ta ndërtuar jetën në paqe dhe ne synojmë marrëdhënie konstruktive me të gjithë fqinjët tanë.
Serbia, megjithatë, vazhdon të pretendojë se vendi ynë është pjesë e territorit të saj, ndërkohë që ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjërit prej fqinjëve tanë. Përqendrimi i forcave ushtarake serbe përgjatë kufijve tanë, së bashku me sulmet e armatosura që ka përjetuar vendi ynë, kërkojnë vigjilencë serioze. Çdo përqendrim i ri i forcave luftarake serbe përgjatë kufijve tanë, apo një sulm tjetër i armatosur kundër territorit ose infrastrukturës kritike të vendit tonë, do të përbënte një përshkallëzim të rëndë. Parandalimi i zhvillimeve të tilla kërkon një kapacitet të besueshëm parandalues, një prani të fortë të NATO-s përmes KFOR-it dhe koordinim të ngushtë me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë. Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë institucionet tona të mbrojtjes, duke mbetur të përkushtuar ndaj diplomacisë, dialogut konstruktiv dhe marrëdhënieve paqësore me të gjithë fqinjët tanë. Në fund të fundit, paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor varet nga pranimi i një parimi themelor: sovraniteti dhe integriteti territorial i çdo shteti duhet të respektohen, pa përjashtim.
Pyetje: Pas zgjedhjes së Péter Magyarit kryeministër, Hungaria ka nisur një drejtim të ri politik dhe të politikës së jashtme, duke u larguar nga epoka e Orbánit dhe marrëdhënia e tij e ngushtë personale me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Si e vlerëson Kosova këtë ndryshim politik në Budapest? A shihni mundësi për një partneritet më të fortë mes Hungarisë dhe Kosovës dhe çfarë roli mund të luajë qeveria e re hungareze në promovimin e stabilitetit dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor?
Ministri Konjufca: Hungaria është një mike dhe partnere e çmuar e Republikës së Kosovës që nga njohja e pavarësisë sonë në mars të vitit 2008. Vendet tona kanë ndërtuar marrëdhënie të forta gjatë qeverive të njëpasnjëshme dhe ne e vlerësojmë sinqerisht kontributin e vazhdueshëm të Hungarisë për sigurinë tonë përmes KFOR-it. Ne respektojmë zgjedhjen demokratike të popullit hungarez dhe presim me interes forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë me qeverinë e kryeministrit Péter Magyar. Mbetemi të përkushtuar për forcimin e lidhjeve tona ekonomike dhe avancimin e interesave të përbashkëta, veçanërisht përmes mbështetjes së vazhdueshme të Hungarisë për integrimin evropian të Kosovës, përfshirë përpjekjet tona për të siguruar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Pyetje: Përtej tensioneve të menjëhershme, cilat janë prioritetet kryesore diplomatike të Kosovës lidhur me integrimin evropian dhe njohjen ndërkombëtare? Çfarë mesazhi do të dëshironit t’u përcillnit qeverive evropiane, veçanërisht atyre të Evropës Qendrore, për të ardhmen e Kosovës dhe rolin e saj në stabilitetin rajonal?
Ministri Konjufca: E ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës mbështetet në një mandat demokratik jashtëzakonisht të fortë. Sipas anketës më të fundit të Komisionit Evropian, 83 për qind e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në BE, që përbën nivelin e dytë më të lartë të mbështetjes në Ballkanin Perëndimor, pas Shqipërisë. Ky përkushtim pasqyrohet në zhvillimin e institucioneve tona. Projekti Botëror i Drejtësisë (World Justice Project) e renditi Kosovën të tretën ndër 15 vende të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore për sundimin e ligjit në vitin 2025. Ne jemi të vendosur të mbështetemi në këtë përparim dhe të vazhdojmë forcimin e institucioneve tona demokratike. Orientimi ynë evropian është po aq i qartë edhe në politikën e jashtme. Republika e Kosovës është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke dëshmuar përkushtimin tonë të palëkundur ndaj parimeve mbi të cilat mbështetet siguria evropiane. Megjithatë, gati katër vjet pas paraqitjes së aplikimit për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit 2022, ne ende jemi në pritje të avancimit formal të tij. Ne synojmë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit përmes një procesi të besueshëm, të bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të zgjerojmë njohjet ndërkombëtare dhe të avancojmë aspiratat tona për anëtarësim në NATO. Mesazhi im për qeveritë evropiane, veçanërisht për partnerët tanë në Evropën Qendrore, është se Kosova e ka dëshmuar përkushtimin ndaj projektit evropian përmes zgjedhjeve të saj demokratike dhe sjelljes si partnere e përgjegjshme ndërkombëtare. Përparimi ynë meriton të vlerësohet në bazë të arritjeve konkrete, me të njëjtin seriozitet dhe paanshmëri që u kushtohet çdo vendi tjetër që synon anëtarësimin. Avancimi i integrimit të Republikës së Kosovës do ta forconte stabilitetin rajonal dhe vetë projektin evropian.








