Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën, nga ora 11:00, për të shqyrtuar disa çështje, përfshirë caktimin e rendit të ditës për seancën e radhës plenare.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kuvendit, në rend dite është edhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Bëhet fjalë për përzgjedhjen e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë.
Po ashtu, Kryesia pritet të shqyrtojë propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Në rend dite përfshihen edhe miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë dhe shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave.
Njoftimi i plotë:
I. Miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë së Kuvendit;
II. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës;
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës;
3. Pyetjet parlamentare;
4. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës;
5. Votimi i Propozimit të GP- Lista serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Dhe: III. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave. /teve1.info/




