Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka mbajtur sot takim me përfaqësues të postave dhe ofruesve të shërbimeve postare.
Me këtë rast u diskutua mbi sfidat me të cilat përballen konsumatorët, rritjen e tregtisë online, ankesat e konsumatorëve dhe nevojën për formalizimin e bizneseve që operojnë në këtë fushë.
Këshilltari i Ministrisë së Industrisë, Ali Tafarshiku, ka thënë se krahas rritjes së aktivitetit në tregtinë online, është shënuar edhe rritje e ankesave nga konsumatorët.
Sipas tij, problem paraqet fakti se disa prej këtyre veprimtarive nuk janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ndërsa disa nuk posedojnë dokumentacionin përcjellës për produktet që shesin.
“Ka rritje të ankesave të konsumatorëve, të cilët marrin shërbime ose blejnë produkte, por që në komunikim të vazhdueshëm nuk kanë se ku të adresohen, për shkak se disa prej këtyre veprimtarive ose nuk janë të regjistruara në ARBK, ose nuk i kanë dokumentacionet përcjellëse për produktet që i shesin”, tha Ali Tafarshiku.
Tafarshiku u ka bërë thirrje qytetarëve që bashkëpunojnë me biznese të paregjistruara që t’i nxisin ato të formalizohen, duke theksuar se regjistrimi nuk ka kosto buxhetore dhe se procedura është e thjeshtë.
“Në qoftë se keni edhe ju bashkëpunim, as nuk është i regjistruar në ARBK, ju lus që me nxitë, as nuk ka kosto buxhetore, as nuk ka burokraci. Është aplikim shumë i lehtë drejt formalizimit dhe të gjithë e dimë që tre muajt e parë biznesi ka hapësirë të bëj një matje të performancës së vet dhe nëse e sheh që dështon dhe ka sfida, ka edhe mundësi të tjera që të pezullojë përkohësisht aktivitetin. Ka shumë mundësi që i ofrojnë ligjet dhe nuk është e nevojshme asnjë biznes me qenë ilegal”, tha Tafarshiku, raporton KosovaPress.
Jashar Goga nga Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se kryhen edhe kontrolle të brendshme tek operatorët postarë, veçanërisht në rastet kur dyshohet për mallra që nuk u janë nënshtruar procedurave fiskale.
“Kemi dhe kontrolle të brendshme të cilat i kryejmë tek postat, kryesisht kryejmë vizita te subjektet postare të cilat mund të kenë mallra apo qarkullim të mallrave të cilat nuk i janë nënshtruar politikave fiskale”, ka thënë Goga.
Agim Morina, përfaqësues i postave, ka deklaruar se pasi kishte raportuar 248 shkelje në Pranimin Qendror të Doganës së Kosovës, të nesërmen në mëngjes ndaj postës janë zhvilluar kontrolle nga rreth 20 zyrtarë doganorë.
“248 shkelje që konsumatori ka paguar doganë për vlerë 15 euro dhe e kam paraqit këtë ankesë. Të nesërmen në mëngjes i kam pasur 20 oficerë doganorë në kontroll, në aeroport për neve dhe pas 7 dite përfundon një kontroll. Nëse një dërgesë vonohet mbi 24 orë, ne do të japim përgjegjësi dhe kemi për ta paguar atë”, ka thënë Morina.
Në takim u theksua nevoja për bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve, operatorëve postarë dhe bizneseve, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, formalizimit të veprimtarive online dhe garantimit të shërbimeve më të sigurta e më efikase postare.







