Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është në rrezik, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës për vonesa në përmbushjen e detyrimeve financiare dhe organizative.
Në një konferencë për media, Rama bëri të ditur se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka dërguar një letër zyrtare më 15 tetor, përmes së cilës ka shprehur shqetësimet për ngecjet në procesin përgatitor.
Sipas tij, në letër theksohet se disa detyrime kanë mbetur të papërmbushura, përfshirë dorëzimin e garancisë bankare dhe pagesat financiare.
Rama paralajmëroi se më 19 dhjetor 2026 do të shqyrtohet e ardhmja e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Prishtinë, duke kërkuar veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Ai kritikoi kryeministrin Albin Kurti, njëherësh kryesues i bordit drejtues, për mosthirrjen e mbledhjeve të bordit pas 14 gushtit.
Sipas Ramës, kërkesa e kryeqytetit për mbajtjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme më 8 tetor nuk u realizua, pasi nuk u siguruan nënshkrimet e nevojshme nga përfaqësuesit e institucioneve të tjera.
Kreu i Prishtinës tha se komuna ka përmbushur një pjesë të përgjegjësive të saj, duke përmendur miratimin e statusit të komitetit organizativ, regjistrimin e organizatës dhe propozimin e pesë porteve urbane, të cilat, sipas tij, janë miratuar nga ICMG-ja në qershor.
Ai shtoi se janë paraqitur edhe propozimet për lokacionet sportive.
Në deklaratën e tij, Rama ngriti gjithashtu çështjen e mospajtimeve me Qeverinë për emërtimin e ngjarjes.
Ai pretendoi se kërkesa e Kurtit për ndryshimin e emrit nga “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”, si dhe insistimi që kryeministri të drejtojë bordin, kanë ndikuar në procesin përgatitor.
“Jemi në rrezik t’i humbim Lojërat Mesdhetare”, deklaroi Rama, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe koordinim të menjëhershëm për përmbushjen e detyrimeve.
Sipas tij, organizimi i Lojërave Mesdhetare paraqet një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e sportit, infrastrukturës dhe ekonomisë së Kosovës./teve1.info/








