Komisioni për Siguri ka miratuar planin e punës për sesionin vjeshtor, ku është përfshirë edhe raportimi i institucioneve kryesore të sigurisë gjatë muajit dhjetor. Megjithatë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, kërkoi që drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, të raportojë në fund të muajit tetor, në lidhje me reagimin e Policisë në protestën e 5 tetorit. Mirëpo, kjo kërkesë nuk u përkrah nga komisioni. Kjo nxiti edhe debate të ashpra mes deputetes Musliu dhe anëtarëve të tjerë të komisionit nga radhët e LVV-së.
Sipas Musliut, reagimi i Policisë në protestën e 5 tetorit, ku u kërkua miratimi i ligjit për Specialen, ka qenë joprofesional dhe joproporcional. Ajo shtoi se ka marrë ankesa të shumta nga qytetarët dhe se drejtori i Policisë duhet të raportojë para legjislativit.
“Në fund të muajit tetor, në javën e fundit të këtij muaji duhet të ftohet komandanti i Policisë dhe të na raportojë për protestën e 5 marsit. Skenat që i kemi parë janë joprofesionale, joproporcionale me protestën. Kemi shumë ankesa prej qytetarëve dhe raporte mjekësore që kanë marrë qytetarët për atë ditë”, tha ajo.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, kundërshtoi kërkesën për raportim të menjëhershëm, duke argumentuar se fillimisht duhet të përfundojë procesi i hetimeve dhe të dalin të dhënat zyrtare.
“Për sa është procesi i hetimeve, me ardhë me të raportu në fazën e hetimeve dhe analizës është herët… Në momentin kur të dhënat janë zyrtare, më pas raportimi ndodh. Me kërku raportim tash, çfarë kuptimi ka me pritë një rezultat të gjeturave, nëse ka?”, theksoi Zyba.
Të njëjtin qëndrim e ndau edhe deputeti tjetër i LVV-së, Ilir Qeriqi. Ai tha se raportimi më i hershëm nuk do të ndikonte në zbardhjen e rastit dhe se hetimeve duhet t’u lihet hapësirë për të përfunduar punën e tyre pa ndërhyrje.
“A raportojnë më herët apo më vonë, nuk e ndihmon apo përkeqëson atë se çka ka ndodhur. Pikërisht për atë që po thotë Ganja, me qenë të paanshëm dhe profesionalë, ne nuk duhet të ndikojmë dhe të ndërhyjmë në këtë proces. Le t’ia lëmë organeve të hetimit dhe pastaj vijnë të raportojnë”, potencoi ai.
Këto deklarata nxitën reagimin e Musliut, e cila theksoi se kërkesa për raportim është pjesë e përgjegjësisë së komisionit për të ushtruar kontroll demokratik mbi institucionet e sigurisë.
“Kërkesa për përgjegjësi dhe kontroll demokratik të këtij institucioni është obligim i këtij komisioni dhe nuk është as ndërhyrje dhe as tendencë për të ndikuar. Kësaj radhe po e lë me kaq, duke qenë se jeni për herë të parë deputetë në Kuvend dhe keni me u ambientu me punën dhe përgjegjësitë që i ka ky komision”, tha ajo.
Pas kësaj, Qeriqi iu kundërpërgjigj Musliut, duke vënë në pikëpyetje njohuritë e saj për procedurat dhe hierarkinë e Policisë.
“Nuk është ndonjë arritje me qenë në komision, nuk ke bërë ndonjë edukim përkatës. Ndoshta unë e kam bërë edhe edukimin përkatës. Unë i di më mirë procedurat dhe çka është kontrolli demokratik. Më mirë se ti e di si bëhet hierarkia e Policisë. Nuk e kupton strukturën. A e the, sipas strukturës, me raportu më herët?”, tha ai.
Krahas kësaj, komisioni miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.







