Tre fëmijë dhe një mësues kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri në një shkollë fillore në shtetin amerikan të Oregonit, ndërsa dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur të enjten (15 tetor), në shkollën fillore “Silver Rail”, në qytetin Bend, ku një 16-vjeçar ka hyrë me forcë në objekt dhe ka hapur zjarr, raportojnë mediat amerikane.
Sipas autoriteteve, viktimat janë tre fëmijë të moshave 5, 8 dhe 11 vjeç, si dhe një mësues. Ndërkohë, një fëmijë shtatëvjeçar dhe një mësues 54-vjeçar janë dërguar në spital në gjendje kritike.
Shefi i Policisë së Bendit, Mike Krantz, ka bërë të ditur se sulmuesi kishte arritur të hynte në shkollë duke qëlluar me armë zjarri në dyert e mbyllura të ndërtesës.
Ai ka njoftuar se 16-vjeçari është qëlluar për vdekje nga një qytetar i armatosur, i cili e kishte ndjekur brenda shkollës dhe ishte përballur me të.
Forcat policore kanë mbërritur në vendngjarje brenda pak minutash nga raportimet e para për të shtëna.
Identiteti i sulmuesit nuk është bërë publik, ndërsa autoritetet ende nuk kanë sqaruar motivin e sulmit apo nëse ai kishte ndonjë lidhje me shkollën.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/KosovaPress/








