Altin Gjeta, njohës i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se eskalimi i protestave në Shqipëri, vije si rezultat i problemeve të mëdha të qytetarëve në fusha të ndryshme e që u injoruan.
Ai ka thënë se në këtë situatë, kryeministri Edi Rama nuk mund të vazhdojë ta drejtojë vendin.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 ai ka thënë se nëse nuk hapet rruga për një qeveri transitore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja dhe të barabarta, Shqipëria sipas tij, mund të zhytet në një krizë të thellë ku rrezikohet edhe siguria dhe paqja sociale.
“Pas këtij kaosi dhe krize të thellë politike dhe sociale, do të thoja që z. Rama e ka të pamundur të ushtrojë pushtet, të qeverisë vendin. Nëse ai nuk tërhiqet dhe nuk hapet një proces politik për të garantu një tranzicion të butë, një qeveri kujdestare që të sigurojë kushte për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta, fatkeqësisht, Shqipëria do të zhytet më thellë, ku rendi, siguria dhe paqja sociale, rrezikojnë të hidhen në erë përfundimisht”, ka thënë Gjeta.
Prej tri ditësh studentët në Tiranë kanë protestua, ku kjo protestë ka eskalaur edhe me përleshje mes policisë dhe protestueseve.
Objekte shtetërore janë djegur dhe biznese private janë demoluar. Protestuesit që sot kanë nisur protesta edhe në qytete tjera si kërkesë kanë dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
Por, Rama ka thënë se nuk është duke e menduar një gjë të tillë.







