Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka krijuar sërish Kosovën për miratimin Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo ka thënë se pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy vjetëve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat për sundimin e ligjit dhe në Planin e Rritjes, si dhe në përgatitjet për anëtarësimin në SEPA.
Por, sipas saj, ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme.
“Sot diskutova me kryenegociatorin Jeton Zulfaj rreth rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit në BE. Pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe Planin e Rritjes. Ajo ka bërë hapa të mirë drejt anëtarësimit në SEPA. Megjithatë, ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj BE-së. Kjo do të përbënte një hap të rëndë prapa në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Respektimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e pavarura gjyqësore janë thelbësore për përgatitjen e hapave të mëtejshëm në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar ajo në X, pas takimit me Kryenegociatorin e Kosovës për integrim evropian, Jeton Zulfaj.
Kuvendi i Kosovës më 6 tetor ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ndërsa, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu sot më 15 tetor e ka dorëzuar te presidentja për dekretim.
Ndër ndryshimet kryesore që parashihen ky Ligj janë:
Ngushtimi i juridiksionit të Speciales, duke e lidhur atë me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011;
Ndryshimi i periudhës kohore të juridiksionit, në 1 korrik 1999 – 31 dhjetor 2000;
Kufizimi i juridiksionit territorial në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës;
Kufizimi i dënimit maksimal me burgim në 15 vjet;
Transferimi te institucionet e Kosovës i rasteve që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më në kompetencë të Dhomave të Specializuara;
Mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin;
Mundësia që të dënuarit t’i vuajnë dënimet në Kosovë;
Mundësia e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.
Projektligji parasheh gjithashtu rishqyrtimin e juridiksionit të rasteve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.
Kuvendi e ka miratuar projektligjin në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim. LDK-ja nuk ka marrë pjesë në votim.
Ende nuk është e qartë nëse projektligji do të kalojë në lexim të dytë gjatë ditës së sotme./teve1.info/






