Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e rigjykimit të Endrit Nikës, i cili po akuzohet për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase Maria Clara Urdangaray.
I dyshuari ngarkohet nga prokuroria, se e ka hedhur të dashurën e tij nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë në vitin 2023.
Të enjten, para trupit gjykues u dëgjua dëshmitari, Fehmi Zabeli, menaxher ne hotel, i cili në gjykatore tha se nuk i kishte parë asnjëherë as të akuzuarin, as viktimën, ndërsa për ngjarjen deklaroi që kishte marrë vesh pasi e kishte telefonuar roja i hotelit.
I pyetur nëse kishte rastisur ti shihte Endrit Nikën dhe viktimën, Zabeli deklaroi: “Jo, nuk i kam parë asnjëherë”.
Duke folur për ditën kur kishte ndodhur rasti, dëshmitari tha se kishte qëndruar në hotel, ku banonte gjatë sezonit, dhe se ndodhej dy kate më lart nga vendi ku kishte ndodhur ngjarja.
“Kam qenë në hotel se gjatë sezonës qëndroj aty, aty flej. Kam qenë dy kat më lart sesa dhuna që ka ndodhë në rastin. Derisa më kanë telefonuar, nuk kam ditë asgjë. S’kam dëgjuar asgjë, më ka telefonuar roja, me emrin Ramiz. Pas pesë minutave kam dalë poshtë, se më ka thënë që ka rënë një grua”, deklaroi Zabeli.
Ai tha se më pas e kishte njoftuar Mirlindin (menaxher poashtu ne hotel), i cili, sipas tij, ishte duke fjetur, ndërsa kur kishte zbritur poshtë, nuk e kishte parë viktimën.
Dëshmitari: I kam pa një pjesë shumë të shkurt kur ka ra ajo vajza
Video “Kur zbrita, nuk e kam pa vajzën, por pjesëtarët e policisë një djal edhe disa xhama, nuk e disha çka ka ndodhë”, tha ai.
Tutje Zabeli tregoi se më pas ishte paraqitur te policia dhe ishte identifikuar, duke ua dorëzuar zyrtarëve letërnjoftimin.
“Kam shku te policia, jam prezantu, ia kam dhënë një letërnjoftim. Më pas kanë ardhë patrullat tjera edhe më pas zbriti Mirlindi. Kam qëndru në recepsion dhe më pas kam shku me pushu, se kam pas mu qu herët. Kam qëndruar një dy orë dhe kam shku me fjetë”, deklaroi dëshmitari.
I pyetur nëse, pas ndodhjes së rastit, kishte parë incizimet e kamerave ku shfaqeshin Endrit Nika dhe viktima, Zabeli e mohoi një gjë të tillë.
Megjithatë, kur u pyet sërish nëse kishte parë pamje nga kamerat e sigurisë, ai sqaroi se një pjesë të incizimeve e kishte parë në media.
“I kam pa një pjesë shumë të shkurt kur ka ra ajo vajza, pjesën tjetër e kam pa në media”, u shpreh Zabeli.
Pas Zabelit, dëshmoi, Mirlind Zeqiri, menaxher tjetër i hotelit, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Tomë Gashi, mbrojtës i të akuzuarit Nika, lidhur me vendndodhjen e tij në natën kritike, kamerat e sigurisë në hotel dhe incizimet që kishte parë gjatë hetimeve.
Vrasja e 2023-tës në hotel, dëshmia e njërit menaxher: Kam qenë fjetë
“Momentin e rastit kam qenë në hotel, në dhomë dy kate më lartë se dhoma ku ka ndodhur rasti. Kam qenë fjet. Mua më ka njoftuar djali i hallës, Fehmi Zabeli, i cili është përgjegjës i restorantit. Erza ka tentu me më telefonu, nuk e kam dëgju telefonin, pastaj më kanë thirrë te dera”, deklaroi Zeqiri.
I pyetur nëse e kishte parë veten në kamerat e sigurisë gjatë natës kritike, dëshmitari tha se nuk i kujtohej një gjë e tillë.
“Kamerat nuk i mbaj mend, nuk më kujtohet që e kam parë veten në kamera natën kritike”, tha ai.
Sa i përket sistemit të kamerave në hotel, Zeqiri konfirmoi se kishte pasur kamera si brenda, ashtu edhe jashtë objektit, por jo në të gjitha hapësirat.
“Po, ka pas edhe kamera jashtë edhe brenda. Vetëm korridoreve, jo shkallëve, nuk ka pasur, edhe brenda në lift nuk ka pas”, tha dëshmitari.
Avokati Gashi e pyeti Zeqirin edhe për deklarimet e tij në Prokurori, duke i vënë në dukje se atje kishte sqaruar vetëm për një kamerë.
Në përgjigjen e tij, dëshmitari shpjegoi se në gjykatë dhe në Prokurori ishte pyetur për pamjet e korridorit, ku kishte vërejtur lëvizjet e të akuzuarit.
“Në gjykatë dhe Prokurori jam pyetur për pjesën e korridorit. Aty e kam sqaru, i kam pa lëvizjet e Endritit, i cili ka lëvizë prej derës së dhomës deri te ashensori. Gjatë kohës sa i kemi tërheq incizimet, se a jemi duke i tërheq pjesën e duhur, më ka ra në sy lëvizjet e Endritit që i ka bërë nga dera e dhomës deri te ashensori”, deklaroi Zeqiri.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 9 nëntor, në orën 09:30, ndërsa seanca tjetër vijuese do të mbahet më 12 nëntor, gjatë gjithë ditës si dhe me datën 20 nëntor.
Sipas dosjes së Prokurorisë, viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.
Endrit Nika në shkurt të vitit 2026 ishte dënuar me 18 vite burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.







