Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka refuzuar importin e 27 mijë kilogramëve misër merkantil nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përqendrim të aflatoksinës mbi kufirin e lejuar.
Sipas njoftimit të AUV-së, në ngarkesën e importuar nga një kompani është konstatuar prani e aflatoksinës në nivel prej 33 mikrogramësh për kilogram (µg/kg), ndërsa kufiri i lejuar është 20 µg/kg.
Rezultati është konfirmuar edhe përmes superanalizës së kryer nga laboratori referent në Austri. Pas konfirmimit të tejkalimit të kufirit të lejuar, autoritetet kanë vendosur refuzimin e importit dhe kthimin e të gjithë sasisë në vendin e origjinës.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se kontrollet ndaj importeve do të vazhdojnë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të hyrjes në tregun e Kosovës të produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.
Aflatoksina është një substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myku, e cila mund të zhvillohet në kultura bujqësore si misri. Prania e saj mbi kufijtë e lejuar përbën shqetësim për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e njerëzve e të kafshëve.
AUV ka theksuar se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë për të siguruar që produktet e importuara të përmbushin standardet e përcaktuara të sigurisë ushqimore.








