Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Burim Kelmendi u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “KRM Pastrimi”, ka kryer veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.
Kurse, për të akuzuarin Naim Rrustemi u veçua procedura gjyqësore.
Sipas aktakuzës, Burim Kelmendi gjatë viteve 2020-2021 në Prishtinë, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të “KRM Pastrimi”, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit.
Ndërkaq, Naim Rrustemi akuzohet se në cilësinë e Koordinatorit në të njëjtën kompani, ka pranuar para nga të dëmtuarit, duke premtuar se do të ushtronte ndikim të kundëligjshëm në vendimmarrjen e Kelmendit për punësimin e tyre.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Kelmendi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Eset Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pastaj, gjyqtari i rastit Gazmend Bahtiri, njoftoi palën mbrojtëse se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ndërsa, në fillim të shqyrtimit fillestar, mbrojtësja e të akuzuarit Kelmendi, avokatja Kadina Bogaj-Thaçi, propozoi të veçohet procedura gjyqësore ndaj të akuzuarit tjetër Rrustemi për arsye se ai ndodhet jashtë shtetit dhe deri të kryejë rregullimin e dokumentacionit personal nuk mund të jetë prezent në shqyrtim gjyqësor.
Propozimin e mbështeti edhe prokurori Rama dhe pastaj Gjykata me aktvendim veçoi procedurën gjyqësore për të akuzuarin Rrustemi.
Gjyqtari Bahtiri po ashtu kërkoi nga mbrojtësja e të akuzuarit Rrustemi, avokatja Rreze Shkodra, të njoftojë Gjykatën sa më parë se kur mund të vijë i mbrojturi i saj në Kosovë që të vazhdohet me procedurë gjyqësore.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, më 19 qershor 2026 pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-zyrtarëve të KRM “Pastrimit”, Burim Kelmendi dhe Naim Rrustemi.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Burim Kelmendi gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar dhe në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “KRM Pastrimi”, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit.
Ai ngarkohet ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike, ndërkohë që personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune.
Sipas Prokurorisë, këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, pa shpallje të konkursit publik dhe me vazhdim të paligjshëm të kontratave.
Po ashtu, i pandehuri thuhet se ka nxjerrë aktvendime për avancimin e të punësuarve pa respektuar procedurat përkatëse.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, i është shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes në vlerë prej 114,535.06 euro, ndërsa i pandehuri Rrustemi ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash lidhur me punësimin e disa personave.
Ndërkaq, i pandehuri Naim Rrustemi akuzohet se gjatë muajit mars 2021 në cilësinë e Koordinatorit në të njëjtën kompani, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka kërkuar dhe ka marrë shumën prej 1,500 euro nga të dëmtuarit J.D., M.D., A.B., G.B. dhe R.N., duke premtuar se do të ushtronte ndikim të kundëligjshëm në vendimmarrjen e Kryeshefit Ekzekutiv për punësimin e tyre.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit me veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 i Kodit Penal.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.








