Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj përdorimit të flamurit të UÇK-së gjatë protestave në Tiranë, duke dënuar veprimet që, sipas saj, lidhen me vandalizmin dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka dënuar keqpërdorimin e flamurit me simbolin e UÇK-së gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë, duke theksuar se ky simbol nuk duhet të përdoret për të justifikuar veprime të dhunshme apo dëmtimin e pronës.
Në reagimin e saj, organizata ka theksuar se flamuri i UÇK-së përfaqëson luftën çlirimtare, dëshmorët e kombit dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.
“Ky simbol përfaqëson Luftën Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe lirinë e fituar nga kjo sakrificë. Si i tillë, kurrë nuk mund të përdoret për të justifikuar, identifikuar apo fshehur veprime që dëmtojnë pronën publike apo private”, thuhet në reagimin e OVL-së së UÇK-së.
Organizata u ka bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave në Tiranë që të ruajnë dinjitetin dhe rëndësinë historike të simbolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas OVL-së së UÇK-së, e drejta për të protestuar duhet të respektohet, por ajo nuk duhet të shërbejë si arsye për ta lidhur flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin apo plaçkitjet.
“Çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por asnjë pakënaqësi, sado e thellë të jetë, nuk i jep të drejtë askujt ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet. U bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli”, thuhet më tej në reagim.
OVL e UÇK-së ka ritheksuar kështu qëndrimin e saj kundër përdorimit të simbolikës së luftës çlirimtare për të arsyetuar veprime që dëmtojnë pronën publike apo private.









