14 punonjës të Policisë së Shtetit janë plagosur si pasojë e sulmeve gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ndërsa deri më tani janë shoqëruar 35 persona.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Shtetit, e cila u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar.
Në reagimin zyrtar, Policia kërkon ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj efektivëve dhe të akteve të shkatërrimit të pronës publike dhe private, duke theksuar se dhuna nuk lidhet me ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
“Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit. Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë!”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos mbështesin dhe të mos u bashkohen personave që kryejnë akte dhune, ndërsa kanë theksuar se përgjegjësit do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë punën për identifikimin dhe shoqërimin e personave të përfshirë në incidentet e regjistruara gjatë protestës.










