Një ftesë nga Kosova arriti në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Këta të fundit, Avokati i Popullit në Kosovë, i ftoi në një tryezë ku do të prezantohej raporti për punën e tyre, nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut.
Por edhe një herë, Specialja zgjodhi të mos i përgjigjej institucioneve të Kosovës.
“Unë në këtë takim e kam ftuar edhe kryetaren e gjykatës, sepse edhe në organizime të tjera kur e kam prezantuar raportin, siç është ai i Hagës në qershor të vitit, ku kanë marrë pjesë një numër i madh i përfaqësuesve diplomatike që janë të akredituar atje, dhe ku vetë autorët e raportit e kanë prezantuar këtë raport, e kam ftuar, nuk kam marrë mundin me u përgjigj asaj kohe, ndërsa kësaj radhe na ka kthyer një përgjigje të cilën unë në pjesën e arsyetimit të saj e kam pritur, sepse jam mësuar me vlerësimet e njëjta. Duke u thirrur në mungesë transparence dhe në mungesë të kompetencave dhe në papërshtatshmëri për me marrë këtë takim duke e konsideruar si ndërhyrje në drejtësi dhe në vendimin e gjykatës”, ka thënë Qelaj.
Në këtë formë, prezantimi i raportit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, vazhdoi edhe pa praninë e tyre.
Për punën e këtyre të fundit, ngriti shqetësime Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
“Unë nuk kam marrë një përgjigje konkrete, vazhdimisht kam pasur refuzim me dhënë sqarime të çështjeve që i kam ngritur, duke u thirrur në atë që veprohet sipas standardeve dhe kanë një legjislacion e rregullore të cilat janë fryma e garancive edhe kushtetuese, edhe të instrumenteve ndërkombëtare që garantojnë një proces të drejtë. Por unë konsideroj që nuk është e mjaftueshme që vetëm formalisht plotësohen standardet, por ato duhet të jenë efektivisht, duhet të jenë të matshme, të mbikëqyrura dhe duhet të jenë të tilla që publikut t’i krijojnë besim”, theksoj Qelaj.
Se gjatë procesit gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët” pati shkelje, e thanë edhe njohësit e çështjeve juridike në Kosovë.
“Këto vite, jemi qenë dëshmitarë të një procesi të mbyllur me përplot shkelje, shkelje materiale, shkelje procedurale, jo vetëm të legjislacionit të një shteti sovran siç është Republika e Kosovës, por edhe të standardeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh Bajrami.
Për këta të fundit, nga kjo tryezë kishte një kërkesë.
“Dhe tani ne kërkojmë që në procesin e ankimimit, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, shtetet donatore që e financojnë, ta bëjnë atë që s’e kanë bërë deri tani. Të kërkojnë llogaridhënie për të gjitha ato mjete buxhetore që i kanë dhënë për një gjykim të drejtë, të ushtrojnë një monitorim të respektimit të të drejtave të njeriut. Kjo nuk është aspak ndërhyrje në pavarsin e gjyqsorit”, u shpreh tutje Bajrami.
Ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Kosovës, thanë se ky raport zbulon shkelje serioze të të drejtave të njeriut nga Specialja.
“Sot jemi dëshmitarë të publikimit të një raporti nga Ombudspersoni i Kosovës, një raport i cili sjell në pah disa probleme serioze në raport me pavarësinë, mbikëqyrjen, dhe mbi të gjitha shkeljen e të drejtave të njeriut të 4 çlirimtarëve tanë”, ka thënë Tahiri.
“Çfarë shohim jo vetëm nga raporti të Avokatit të Popullit por dhe nga raporti i britanikëve flasim për shkelje serioze që e kanë shoqëruar një proces të votuar në Kuvend e në fund ka treguar që vendimi është marrë në emër të popullit të Kosovës, kjo jo që është shqetësim po flet për nevojën për një koordinim gjithëkombëtar dhe shtetëror për t’i dalë në fund këtij procesi”, u shpreh Deliu.
Ndërkohë, përmes një komunikate, Dhomat e Specializuara kanë thënë se vendimi për të mos marrë pjesë në këtë tryezë bazohet në dispozitat kushtetuese dhe ligjore që përcaktojnë mandatin e tyre.
Në këtë kontekst, Specialja shton se çështja e mungesës së kompetencave të Avokatit të Popullit të Kosovës, për të vepruar në raport me to, i është bërë e ditur atij edhe më parë.



