Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ku ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me këtë mision dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa sot, teksa institucionet tona të sigurisë po zhvillojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet mbetet i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike”, ka deklaruar Shiroka Pula.
Ajo ka vlerësuar kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si dhe përparimin e institucioneve vendore të sigurisë ndër vite.
Presidentja ka shprehur mirënjohje për ushtarakët e vendeve kontribuuese që kanë shërbyer në Kosovë, duke ritheksuar se synimi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi në NATO.
“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të”, ka theksuar ajo.
Në fund, Shiroka Pula ka falënderuar gjeneralmajorin Ulutaş për shërbimin e tij, ndërsa gjeneralmajorit Vergori i ka uruar sukses në detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in.







