Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se mbështetja financiare e Qeverisë së Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar për vitin 2026 do të shqyrtohet sërish në mbledhjen e shtatë të Qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, Sinani ka theksuar se kjo mbështetje është e rëndësishme për shqiptarët e Preshevës dhe të gjithë Luginës, pasi ndikon në arsim, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe realizimin e projekteve në shërbim të komunitetit shqiptar.
Sipas saj, çështja po rikthehet për shqyrtim për herë të tretë, pas bllokimeve që, siç ka deklaruar ajo, kanë ndodhur në muajin janar dhe gusht.
Sinani ka shprehur mirënjohje për kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm në këtë drejtim.
Ajo ka theksuar se Komuna e Preshevës, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar, do të vazhdojë angazhimin që mjetet financiare të arrijnë te shqiptarët e Luginës.
“Qytetarët tanë nuk duhet të mbeten peng i bllokimeve”, ka shkruar Sinani, duke e përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Presheva dhe Lugina nuk janë vetëm!”







