Kodi i ri i veshjes në shkollat e Azerbajxhanit, i cili ndalon veshjet që konsiderohen në kundërshtim me parimin e arsimit laik, pa e përmendur shprehimisht hixhabin, ka shkaktuar protesta dhe ka ngritur shqetësime lidhur me lirinë fetare dhe të drejtat kushtetuese.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se 37 persona janë ndaluar për prishje të rendit publik, ndërsa disa mësues dhe nxënësve u është refuzuar hyrja në shkolla, raporton Al Jazeera.
Kryetari i Bordit të Myslimanëve të Kaukazit, Sheikh-ul-Islam Allahshukur Pashazade, e cilësoi hixhabin si “një detyrim të rëndësishëm fetar”, por kritikoi protestat që pengojnë zhvillimin e mësimit.
Debati ka ndikuar gjithashtu në marrëdhëniet me Turqinë, pasi këshilltari i presidentit turk, Oktay Saral, e cilësoi vendimin e Azerbajxhanit si “të papranueshëm”.
Partia qeverisëse e Azerbajxhanit i kritikoi deklaratat e tij si “të papërgjegjshme”.
Nenet 7 dhe 18 të Kushtetutës së Azerbajxhanit përcaktojnë karakterin laik të shtetit dhe sistemit arsimor, ndërsa neni 48 garanton lirinë fetare.
Aktivisti për të drejtat e njeriut, Azer Rashidoglu, argumentoi se kufizimet bien ndesh me Kushtetutën dhe u bëri thirrje personave të prekur të kërkojnë mbrojtje ligjore përmes mjeteve paqësore dhe të ligjshme.








