Qeveria e Kosovës ka publikuar vendimin për themelimin e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas vendimit, Grupi Punues do të shqyrtojë çështje me rëndësi strategjike dhe do të përgatisë propozime e rekomandime në kuadër të mandatit të tij.
Po ashtu, Grupi Punues do të marrë parasysh Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 28 shtator 2026, me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve dhe veprimeve institucionale.
Grupi do të udhëhiqet nga Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa në përbërjen e tij do të ketë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Zyra e Presidentes dhe Kryesia e Kuvendit.
Pjesë e grupit do të jenë edhe përfaqësues të grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe komuniteteve joshumicë.
Sipas vendimit, puna e grupit do të përqendrohet edhe në bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në dokument theksohet se grupi brenda tridhjetë (30) ditëve nga konstituimi, harton propozimin fillestar të Strategjisë Shtetërore dhe planin e veprimit, duke përcaktuar masat prioritare, institucionet përgjegjëse dhe afatet e zbatimit.
Grupi Punues obligohet ta informojé Kryeministrin e Republikës së Kosovës për punën dhe aktivitetet e tij, së paku një herë në muaj.






