Një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarit N.M. për vrasje në tentativë në Vushtrri, lidhur me rastin që ka ndodhur më 30 shtator.
Lajmin për KP e konfirmoi zëdhënësja e kësaj Gjykate, Hateme Haxhaj.
“Të pandehurit N.M. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së, dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, neni 366, paragrafi 1, të KPRK-së”- tha Haxhaj.
Masa e paraburgimit llogaritet nga 7 tetori deri më 7 nëntor 2026.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka thënë për KP, në një përgjigje me shkrim, se dy të dyshuarit e tjerë lidhur me këtë rast gjenden në arrati.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se viktima dyshohet se ishte sulmuar nga disa persona të panjohur, të cilët e kishin rrahur me mjete të forta. Si pasojë e sulmit, viktima, e gjinisë mashkullore, kishte marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes ishte gjetur një veturë e aksidentuar, katër gëzhoja, një karikator me pesë fishekë, si dhe një fishek tjetër brenda veturës.










