Policia e Shqipërisë ka reaguar lidhur me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet shoqërimi i një 19-vjeçari me këmbë të dëmtuar nga punonjësit e Policisë, pranë Parlamentit, për ta dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Në një reagim zyrtar, Policia bën të ditur se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të të riut nga punonjësit e Policisë.
Pavarësisht verifikimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është ngritur gjithashtu një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe respektimin e procedurave standarde të punës.
Policia e Shtetit thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit dënon aktet e dhunshme të shfaqura gjatë orëve të fundit në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, duke theksuar se ato nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Policia u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë veprimet e tyre, duke paralajmëruar se do të përballen me forcën e ligjit.
Gjithashtu, u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre.









