Protesta e studentëve është shtrirë në disa institucione dhe akse kryesore të Tiranës, ndërsa situata është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Tubimi nisi përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, për t’u zhvendosur më pas drejt Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, në zonën e “Pazarit të Ri” është ndezur edhe zjarr, në një tjetër episod gjatë protestës.
Përplasjet mes studentëve dhe efektivëve të Policisë vijojnë, ndërsa forcat e rendit po kryejnë shoqërime të protestuesve në komisariatet e kryeqytetit.
Në disa zona të Tiranës, efektivët janë vendosur në formë kordoni, me qëllim shpërndarjen e protestuesve dhe menaxhimin e situatës, e cila vijon të mbetet e tensionuar.
Pas më shumë se 7 orësh protestë të shoqëruar me tensione të larta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, numri i personave të shoqëruar në komisariatet e kryeqytetit ka shkuar në rreth 40.
Të paktën sipas raportimeve jozyrtare.
Raportimet bëjnë me dije se shoqërimet janë kryer pas incidenteve të regjistruara gjatë tubimit, i cili nisi përpara godinës së Ministrisë së Arsimit dhe më pas u përshkallëzua me përplasje në disa zona të Tiranës.
Gjatë protestës, Policia ka ndërhyrë disa herë për të shpërndarë turmën, ndërsa është përdorur edhe autoboti me ujë.
Situata është shoqëruar me përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve, si dhe me raste të tërheqjes me forcë të protestuesve në rrugë.
Ndërkohë, disa akse të kryeqytetit vijojnë të jenë nën monitorimin e forcave të sigurisë, pas tensioneve të regjistruara gjatë orëve të protestës.








