Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Fushë-Kosovë, pas një incidenti ku një person dyshohet se ka kërcënuar një qytetar nën posedimin e një arme.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari kryesor është mashkull kosovar i nacionalitetit serb, i cili pas incidentit nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim dhe dorëzim, por u mbyll brenda shtëpisë apo banesës së tij.
Për menaxhimin e situatës intervenuan njësitë speciale intervenuese dhe operative, njësitë e reagimit të shpejtë, ato të rendit publik dhe njësia K9.
“Policia e Kosovës ka siguruar vendin duke vënë perimetrin e sigurisë rreth zonës së banimit të personit të dyshuar, me të cilin në forma të ndryshme ka komunikuar dhe ka kërkuar që të dorëzohet në formë të sigurt dhe pa pasoja, mirëpo i njëjti ka rezistuar dhe nuk iu është bindur urdhrave zyrtarë policorë”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta bindur të dyshuarin që të dorëzohej, ai nuk iu përgjigj thirrjeve të zyrtarëve policorë.
Për këtë arsye, njësitë policore u detyruan të hapnin derën me forcë dhe të hynin brenda banesës, ku arritën ta arrestonin të dyshuarin.
“Policia në mënyrë profesionale ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar që dyshohet se ka kryer kanosjen, si dhe një person tjetër mashkull kosovar i cili ka qenë brenda në shtëpi dhe ka penguar zyrtarët policorë”, bëhet e ditur në njoftim.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe ekipet e zjarrfikësve dhe të emergjencës mjekësore, të cilat kanë bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për menaxhimin e situatës.
Ndërkohë, ekzaminimi i vendit të ngjarjes është duke vazhduar nga njësitë përkatëse policore.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin gjatë operacionit, ndërsa ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme po ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.











