Profesori Dashamir Bërxulli ka vlerësuar se deklarata e komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, është në kundërshtim me qëndrimin e shprehur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë.
Kos ka deklaruar se ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe janë të papranueshme.
Ndërkaq, sipas Bërxullit, von der Leyen kishte theksuar se Kosovës i takon të vendosë për ndryshimet në legjislacion, me kusht që të garantohet pavarësia e gjyqësorit.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Bërxulli ka thënë se pavarësia e gjyqësorit është elementi i përbashkët në deklaratat e zyrtarëve evropianë, por, sipas tij, nuk është sqaruar konkretisht se në çfarë mënyre ndryshimet ligjore e cenojnë këtë parim.
“Deklarata e Marta Kos është në kundërshtim me atë që deklaroi Ursula von der Leyen në Prishtinë, e cila tha që të mos preket pavarësia e gjyqësorit, por Kosova e ka tagrin që të bëjë veprimet që konsideron se janë të duhura”, ka deklaruar Bërxulli.
Profesori ka shtuar se debati për Dhomat e Specializuara duhet të përfshijë edhe çështjet e transparencës dhe problematikat e ngritura nga ekspertët e drejtësisë dhe mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nga njëra anë kemi një gjykatë për të cilën kemi parë se ka pasur mungesë transparence dhe probleme të tjera, siç kanë shpjeguar ekspertët e drejtësisë. Kjo u pa edhe me dënimin, por edhe me aktgjykimin. Në këtë aspekt, por edhe si proces, ka pasur problematika të shumta që janë ngritur edhe nga avokatët e ish-krerëve të UÇK-së”, është shprehur ai.
Bërxulli e ka cilësuar reagimin e Kos si joproporcional me veprimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e ndryshimeve ligjore.
Sipas tij, deklarata e komisionares evropiane nuk e pasqyron tërësisht ndikimin që kjo çështje mund të ketë në rrugën e integrimit evropian të vendit.
“Ky veprim i Parlamentit të Kosovës për miratimin e një ligji për Dhomat e Specializuara, me ndalesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, domethënë, mendoj se është një deklaratë e cila është thënë, por nuk mendoj se e parashikon krejt procesin që do ta ketë Kosova në rrugën integruese”, ka thënë profesori.
Duke komentuar kundërshtimet ndaj ndryshimeve ligjore, Bërxulli ka thënë se, sipas vlerësimit të tij, ato nuk e pengojnë vazhdimin e procesit të apelit në Dhomat e Specializuara. Ai kërkoi që të sqarohet konkretisht se si këto ndryshime mund të ndikojnë në pavarësinë e gjyqësorit.
“Emëruesi i përbashkët i këtyre deklarimeve të von der Leyen, Kos, por edhe i zëdhënësve të BE-së, ka qenë pavarësia e gjyqësorit. Se me çfarë e prek pavarësinë e gjyqësorit ky ligj, nuk e kanë thënë. Për mua, ligji për Specialen nuk e pengon asgjë procesin e apelit. Apeli vazhdon. Ata që kanë qenë kundër ligjit nuk kanë treguar me çfarë nuk janë të bindur”, ka theksuar Bërxulli.
Në përfundim, profesori ka vlerësuar se Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë komunikim më të drejtpërdrejtë me sponsorët e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që të sqarohet edhe dimensioni politik dhe diplomatik i kësaj çështjeje.
“Kam idenë që Bashkimi Evropian ka nevojë për një komunikim të thuktë me sponsorët e Dhomave të Specializuara, edhe në kuptimin politik, edhe në kuptimin diplomatik, si dhe për të theksuar faktin që Kosova, në asnjë dimension, nuk i ikën drejtësisë”, ka përfunduar Bërxulli./teve1.info/










