Protesta e studentëve në Tiranë është përshkallëzuar në orët e mbrëmjes, duke u shoqëruar me përplasje me policinë, zjarre në rrugë dhe dëmtime të bizneseve.
Situata është tensionuar fillimisht para Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas protestuesit janë zhvendosur edhe në zonën e Rrugës së Durrësit dhe të rrugës Mine Peza.
Sipas raportimeve të A2 CNN, disa protestues kanë hyrë në një biznes në Rrugën e Durrësit, nga ku kanë nxjerrë orendi dhe u kanë vënë flakën në mes të rrugës.
Gjithashtu, janë krijuar disa vatra zjarri, ndërsa raportohet për djegien e reklamave dhe tendave në zonat ku janë përqendruar protestuesit.
Më herët, protesta para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.
Sipas raportimeve, policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmës, duke përdorur edhe autobotin me ujë, ndërsa disa persona janë shoqëruar.
Tubimi nisi rreth orës 14:00, me pjesëmarrjen e studentëve, nxënësve, disa pedagogëve dhe qytetarëve.
Protestuesit kërkojnë përmirësimin e sistemit arsimor dhe të kushteve në tregun e punës, si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, policia ka vendosur një kordon sigurie para Ministrisë së Arsimit, me qëllim mbajtjen e protestuesve larg ndërtesës./teve1.info/









